Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takim që ka pasur të mërkurën me shefin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe me ambasadorin e Francës, Olivier Guerot, atë të Italisë, Antonello De Riu dhe zëvendësambasadorin e Gjermanisë, Matthias Conrad, ka theksuar nevojën për heqjen imediate të masave të BE-së ndaj Kosovës, transmeton KosovaPost.
Ajo i ka quajtur masat të padrejta dhe se krijojnë ç’ekuilibër në dialog.
“Në takim me ambasadorët, Presidentja Osmani ka theksuar nevojën imediate të heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog, si dhe njëkohësisht theksoi se Kosova ka ndërmarr hapa konkret në përputhje me planin e dakorduar për këtë çështje. Heqja e masave, theksoi ajo, do të krijonte atmosferë shumë më pozitive për vazhdimin e dialogut parimor ku të dyja palët do të trajtoheshin të barabarta”, thuhet në njoftim nga Presidenca.
Po ashtu më takim u bisedua edhe për Rregulloren e re të BQK-së.
“Presidentja ritheksoi se është me rëndësi që nuk po kërkohet që kjo rregullore të shfuqizohet, por thjesht që të punohet në një plan tranzicioni për zbatim të saj e cila merr parasysh edhe shqetësimet e të gjithë qytetarëve që mund të afektohen nga një vendim i tillë. Duke ritheksuar rëndësinë e zbatimit të Kushtetutës në çdo cep të Kosovës, Presidentja ka shtuar se suksesi në këtë drejtim është i lidhur edhe me nivelin e bashkëpunimit me aleatët tanë të cilët kanë qenë gjithnjë mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë, sovranitetit dhe sigurisë së shtetit tonë”, ka njoftuar Presidenca.