Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje që dyshohet se ka ndodhur nga burri i saj në Graçanicë.
Osmani tha se është e tmerruar dhe e indinjuar nga vrasja brutale e gruas nga bashkëshorti i saj, teksa tha se mizori të tilla që po vazhdojnë ta atakojnë shoqërinë kosovare, nuk duhet të tolerohen.
“Ky akt mizor nuk është një incident i izoluar, por një veprim shqetësues i dhunës ndaj grave që kërkon veprim të menjëhershëm dhe vendimtar”.
“Institucionet e drejtësisë duhet të sigurohen që nëpërmjet zbatimit të saktë të ligjeve dhe udhëzuesve të dënimeve t`i japin fund femicidit. Fatkeqësisht, shohim tepër shpesh raste kur dhunuesit lirohen me dënime shumë më të ulëta sesa ato që parashihen me ligj”, shkroi Osmani, transmeton KosovaPost.