Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka njoftuar se në kuadër të aksionit të Inspektoratit Mjedisor janë rrënuar pesë objekte të ndërtuara pa leje në pronë publike pranë Liqenit të Radoniqit, përcjell KosovaPost.
Pacolli ka thënë se synimi i institucioneve është që Radoniqi të bëhet liqeni i parë në Kosovë pa ndërtime ilegale.
“Liqeni i Radoniqit furnizon me ujë të pijshëm Gjakovën, Rahovecin dhe mbi 20 fshatra të Prizrenit. Radoniqi është pasuri e Kosovës dhe ndër burimet tona më të rëndësishme të ujit”, ka shkruar Pacolli.
Ajo ka theksuar se mbrojtja e hapësirave ujore dhe pasurive natyrore duhet të shërbejë si shembull për të gjithë vendin.
Sipas saj, institucionet do të vazhdojnë aksionet për pastrimin dhe mbrojtjen e ujërave të Kosovës, ndërsa do të jenë të pakompromis ndaj ndërtimeve ilegale në pronat ujore dhe zonat me rëndësi natyrore.
“Ne do të vazhdojmë pastrimin e ujërave të Kosovës dhe do të jemi të pakompromis në mbrojtjen e pronave ujore dhe pasurive natyrore të Kosovës!”, ka deklaruar Pacolli.


























