Policia e Shtetit ka reaguar pas pamjeve virale ku shfaqen disa efektivë duke bartur një protestues pa ndjenja dhe me këmbë të thyer.
Përmes një postimi, Policia e Shqipërisë deklaron se është urdhëruar pezullimi i menjëhershëm nga detyra i katër punonjësve të Policisë dhe shefit të rendit në Komisariatin Numër 1.
“Gjithashtu, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, është ngritur një grup i posaçëm, nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar dhe analizuar të gjitha veprimet e punonjësve të Policisë, nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe zbatimin e procedurave standarde të punës. Çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi” thuhet në njoftim.

























