Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, ka paraqitur letrat kredenciale te Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, duke nisur zyrtarisht detyrën e tij diplomatike në Tiranë, transmeton KosovaPost.
Presidenti Begaj, përmes një reagimi, tha se i uroi ambasadorit Wendt sukses në misionin e tij dhe rikonfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara.
“Shqipëria do të vijojë të jetë plotësisht e angazhuar në thellimin e marrëdhënieve dhe në avancimin e interesave tona të përbashkëta”, ka shkruar Begaj.
Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten një partner i rëndësishëm për Shqipërinë, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe zhvillimit.
Edhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë bëri të ditur se Wendt, pas paraqitjes së letrave kredenciale, zhvilloi takim me Presidentin Begaj.
Sipas Ambasadës amerikane, gjatë takimit u riafirmua partneriteti i fortë mes dy vendeve dhe u diskutua për avancimin e prioriteteve të administratës së Presidentit Donald J. Trump, përfshirë bashkëpunimin në mbrojtje, rritjen ekonomike dhe luftën kundër grupeve kriminale transnacionale.
Eric Wendt është ambasadori i ri i SHBA-së në Shqipëri, duke pasuar në këtë detyrë Yuri Kim, e cila e përfundoi mandatin e saj si ambasadore amerikane në Tiranë në vitin 2023.
Ambasadori i ri amerikan vjen në Shqipëri me një profil të spikatur në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Ai ka më shumë se 34 vite shërbim në ushtrinë amerikane, pjesën më të madhe të karrierës në Forcat Speciale “Green Berets”. Wendt ka mbajtur gjithashtu detyra të rëndësishme në strukturat e operacioneve speciale të NATO-s.


























