Një ditë pas regjistrimit të 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, ka pasur lëvizje në Këshillin e Evropës.
Një ditë pas regjistrimit të 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, ka pasur lëvizje në Këshillin e Evropës.
Dukagjini merr vesh se këtë pasdite aplikimi i Kosovës për anëtarësim në KiE është përfshirë në agjendën e mbledhjes së jashtëzakonshme të Komitetit për çështje Politike dhe Demokraci, e cila do të mbahet më 27 mars.
Ky është hapi i parë brenda Këshillit, pasi Qeveria e Kosovës zbatoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, përmes të cilit Manastirit të Deçanit i njihet pronësia e tokave.
Më 13 mars, Qeveria e Kosovës kishte njoftuar se ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia njohë Manastirit të Deçanit të drejtën e pronës prej 24 hektarësh.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar gjatë mbledhjes së ekzekutivit se kërkesa drejtuar Agjencisë Kadastrale është bërë pasi zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.
Megjithatë, Kurti sërish shprehu qëndrimin e tij se nuk i pëlqen vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar “të çuditshëm” dhe të padrejtë”.
Ndryshe, shtetet e QUINT-it kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës, e cila i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për pronën e Manastirit të Deçanit.
Sipas QUINT-it, kërkesa ndaj kësaj agjencie që të regjistrojë 24 hektarët tokë në emër të Manastirit të Deçanit “paraqet hap të rëndësishëm përpara të autoriteteve kosovare në përputhje me aspiratat evropiane dhe euroatlantike”.
QUINT-i për një kohë të gjatë i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me 24 hektarët tokë të Manastirit të Deçanit.


























