Aktivistja e PSD-së, Teutë Rrusta, ka publikuar një fotografi të një aksioni simbolik për të kundërshtuar qasjen e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, e cila në një postim në përvjetorin e Ditës së Çlirimit, nuk përmendi fare Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe rolin e saj në çlirimin e vendit.
Rrusta ka publikuar foton kur kishte shkruar “UÇK” në veturën e ministrisë që udhëhiqet nga Donika Gërvalla duke paralajmëruar se mund ta përsëris një veprim të tillë.
“Kjo temë nuk kalon pa zgjidhje. Prandaj, përsëritja është metoda”, ka shkruar ajo në mbishkrimin e fotografisë të shpërndarë në Facebook.
Kujtojmë se dje Kosova ka shënuar 23-vjetorin e çlirimit nga regjimi serb, ndërsa në urimin e saj, Gërvalla nuk e ka përmendur fare Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, gjë që ka shkaktuar shumë reagime. Ajo falënderoi vetëm ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it për kontributin si dhe dëshmorët e vendit, por nuk përmendi askund UÇK-në.