Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit.
Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku.
Çitaku ka bërë të ditur se vendimi lidhet me pritjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ka theksuar se PDK-ja nuk po heq dorë nga e drejta e saj.
“Shefi i Grupit Parlamentar Arian Tahiri e dorëzon letrën në Kuvend që deri sa ta sqarojë Gjykata, nuk marrim pjesë. Nuk heqim dorë nga e drejta, po e presim vendimin e Gjykatës”, ka deklaruar Çitaku, duke shtuar se po presin afatin e fundit për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Pas përplasjeve dhe ndërprerjeve të njëpasnjëshme të së premtes, Kuvendi i Kosovës pritet të rikthehet sot në sallë për të vazhduar seancën konstituive.
Seanca është paraparë të nisë në orën 10:00, ndërsa në fokus do të jetë zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, ku ka vendosur që t’i votojë kandidatët Vlora Çitaku nga PDK-ja dhe Kujtim Shala nga LDK-ja për postet e nënkryetarëve të Kuvendit.
Vendimi i LVV-së vjen pas përplasjeve të së premtes, kur kandidatura e Vlora Çitakut nuk mori votat e nevojshme. Pas kësaj, deputetët e PDK-së u larguan nga salla dhe paralajmëruan se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.


























