Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, përmes deputetes dhe sekretares së përgjithshme të partisë, Vlora Çitaku, i ka dërguar letër kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, duke kërkuar nga ai që ta thërrasë vazhdimin e seancës më 1 shtator në ora 11:00.
Në letër, PDK-ja kërkon që Dehari të respektojë obligimet e tij kushtetuese dhe procedurale, duke theksuar se Kuvendi duhet të konstituohet edhe përkundër tejkalimit të afatit kushtetues.
“Në cilësinë tuaj si kryesues i seancës konstituive sipas moshës, në përputhje me Nenin 9 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, në emër të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, kërkojmë nga ju që të përmbushni obligimin tuaj kushtetues dhe procedural dhe që, më 01 shtator 2026, në ora 11.00, të thirrni vazhdimin e seancës konstituive”, thuhet në letër.
PDK-ja ka argumentuar se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit ka krijuar, sipas saj, një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në letër.
Partia i është referuar edhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se tejkalimi i afatit kushtetues nuk e shuan detyrimin për konstituimin e Kuvendit.
“Duhet të keni parasysh se, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet. Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e tij”, thuhet në letrën e PDK-së.
Sipas kësaj partie, roli i Deharit si kryesues i seancës konstituive sipas moshës është i përcaktuar dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit.
“Nuk është në kompetencën tuaj që, mbi bazën e vlerësimeve apo konsideratave politike, të vendosni nëse dhe kur duhet të vazhdojë procesi i konstituimit të Kuvendit”, thuhet më tej në letër.
PDK-ja ka kërkuar nga Dehari që, pa vonesa të mëtejshme, ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive më 1 shtator në ora 11:00, me qëllim të vazhdimit të procesit të konstituimit të Kuvendit.
Letra është nënshkruar nga Vlora Çitaku, deputete e Kuvendit të Kosovës dhe sekretare e përgjithshme e PDK.


























