Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu dhe Fadil Demaku, kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, duke kërkuar që Kuvendi i Kosovës të ndërpresë punët rutinore dhe të fokusohet në ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Deputetja Musliu tha se pjesëmarrja e saj në fillim të mbledhjes kishte për qëllim vetëm konfirmimin e konstituimit të komisionit, ndërsa sipas saj, situata aktuale nuk lejon vazhdimin e punës sikur institucionet të funksiononin në rrethana të zakonshme.
“Vërtet sot jam këtu vetëm për të konfirmuar konstituimin e këtij komisioni dhe për t’i bërë funksional të gjithë trupat e Kuvendit që i duhen për të funksionuar një Kuvend normal, por sot, dje, e po shpresoj që nesër do të kemi një ditë tjetër, nuk mund të sjellemi normal e të mbajmë rend të ditës e procesverbalet të zakonshme, e të sjellemi si gjithçka po funksionon normal e Kuvendi t’i vazhdojë punimet rutinë, sikur gjithçka në këtë vend është normal, kur në fakt gjendja në Kosovë nuk është normale, është një gjendje e jashtëzakonshme”, tha Musliu.
Ajo kërkoi që Kuvendi t’i japë prioritet trajtimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se ky është shqetësim i qytetarëve.
“Prandaj, unë e kundërshtoj mbajtjen e një mbledhje rutinë, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës po kërkojnë diçka tjetër dhe ne jemi këtu për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Unë e di që ne mund të kemi dallime politike për shumë çështje, por këtu nuk guxojmë të kemi dallime, këtu duhet të jemi bashkë. Nuk ka rëndësi a jemi parti politike të ndryshme, nuk ka rëndësi a jemi nacionalitet të ndryshme, unë konsideroj që për Republikën e Kosovës nuk ka asnjë çështje më prioritare se çështja e Dhomave të Specializuara në Hagë”, tha ajo.
Musliu më pas bëri edhe një vlerësim të ashpër për proceset në Hagë.
“Në Hagë nuk janë gjykuar individët, në Hagë nuk janë gjykuar emrat e përvetshëm, është gjykuar historia jonë. Në Hagë është marrë një vendim politik, është lexuar një pamflet politik nga gjyqtarë të korruptuar politik, prandaj edhe veprimet tona duhet të jenë të shpejta, duhet të jenë politike, duhet të jenë të zgjuara dhe duhet të jenë në përgjigjen konforme kërkesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, i cili tha se të gjitha çështjet e tjera duhet të presin dhe se Kuvendi duhet të përqendrohet në këtë projektligj.
Demaku tha se PDK-ja tashmë ka kontribuar në funksionalizimin e mekanizmave të nevojshëm parlamentarë, me qëllim që ligji të trajtohet me urgjencë.
“Ne jemi këtu si përfaqësues të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Tashmë është e qartë që qëndrimi i popullit të Kosovës, kërkesa është shumë e qartë ndaj qeverisë dhe deputetëve që ky ligj të trajtohet me emergjencë dhe për këtë arsye ne, si Parti Demokratike, e kemi dhënë kontributin tonë që t’i kemi krejt mekanizmat funksionalë për… në funksion të këtij ligji, pastaj që të kthehemi në normalitet dhe t’i vazhdojmë procedurat me projektligjet e tjera”, tha ai.
Kryesuesi i komisionit, Albert Kinolli, tha se mbledhja është thirrur në kuadër të përgjegjësive të tij si kryetar dhe se edhe ai e konsideron situatën aktuale shqetësuese.
“Edhe besoj që secili prej neve e ka dhënë një kontribut të konsiderueshëm që sot ne të jemi këtu, të veprojmë të lirë, të flasim të lirë, të mendojmë të lirë. Dhe unë sinqerisht këtë komis- çfarë është thirrjen unë vetëm jam duke e bërë punën time si kryetar i komisionit dhe besoj që nuk ka asnjë individ, pa marrë parasysh se nga cila shtresë vjen, a janë mediat, a janë deputetët, apo qytetari i rëndomtë, që nuk bashkëndjen me këtë situatë”, tha ai.
Kinolli shtoi se, bazuar në informacionet që kanë marrë nga kryeministri, pritet që ndryshimi i projektligjit të procedohet në Kuvend.
“Mirëpo, sipas informacioneve që i kemi nga kryeministri, ne urojmë edhe shpresojmë që shumë shpejt amendamentimi i projektligjit për Gjykatën Speciale do të vijë në Kuvend”, u shpreh ai.
























