Që nga e hëna deri të shtunën, në Kosovë janë regjistruar 70 vdekje të shkaktuara nga koronavirusi, derisa në të njëjtën periudhë janë paraqitur edhe 4882 të infektuar me virusin.
Vetëm përgjatë ditës së mërkurë, në Kosovë janë raportuar 17 vdekje përbrenda 24-orësh, të cilat dyshohen të jenë shkaktuar nga Covid-19. Në po të njëjtën ditë, betejën me virusin korona e ka humbur edhe një 21-vjeçar nga Prishtina.
“Brenda 24 orëve janë raportuar 17 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Fushë-Kosovë 2 raste (52, 41 vjeç), Gjilan 2 raste (81, 79 vjeç), Prizren 2 raste (70, 83 vjeç), Suharekë 2 raste (77, 78 vjeç), Drenas 1 rast (77 vjeç), Gjakovë 1 rast (86 vjeç), Istog 1 rast (74 vjeç), Lipjan 1 rast (60 vjeç), Mitrovicë 1 rast (81 vjeç), Prishtinë 1 rast (21 vjeç), Viti 1 rast (69 vjeç), Vushtrri 1 rast (65 vjeç), Ferizaj 1 rast (78 vjeç)”, shkruhej në komunikatën e përditshme të së mërkurës, të lëshuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
Ndërkaq, numri më i lartë i rasteve ditore me koronavirus është paraqitur të shtunën, me 873 sosh, nga 4.371 mostra të marra. Kështu është bërë e ditur nga faqja zyrtare e IKSHPK’së në ‘Facebook’.