Përplasjet brenda administratës Trump kanë përfshirë edhe vizitën e të dërguarit amerikan në Ballkan, duke nxjerrë në pah mosmarrëveshjet për kompetencat diplomatike.
E-mailet e publikuara zbulojnë konfliktin mes dy zyrtarëve të lartë amerikanë për kompetencat diplomatike. Përplasja u shtri edhe në Ballkan, pas takimeve të Paolo Zampollit me zyrtarë serbë dhe përfaqësues të Republikës Srpska.
Një konflikt i brendshëm në administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, ka nxjerrë në pah mosmarrëveshjet mes zyrtarëve të lartë të Departamentit të Shtetit për kompetencat dhe kufijtë e angazhimit diplomatik.
Sipas një raportimi të mediumit amerikan Politico, përplasja përfshin zëvendëssekretarin e Shtetit, Christopher Landau, dhe Paolo Zampollin, të dërguarin e posaçëm për partneritete globale dhe mik prej vitesh i presidentit Trump.
Korrespondenca elektronike, e cila shtrihet përgjatë gati një viti, përmban akuza për tejkalim të kompetencave, mosbindje institucionale, rrjedhje informacioni në media dhe kërcënime për masa disiplinore.
Një nga çështjet që e nxori konfliktin përtej mureve të institucioneve amerikane ishte angazhimi i Zampollit në Ballkan.
Sipas POLITICO-s, pas takimeve të tij me zyrtarë politikë dhe ekonomikë serbë, Landau kontaktoi personalisht ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, për t’i sqaruar se Zampolli nuk kishte autorizim të përfaqësonte administratën amerikane për çështje që shkonin përtej diplomacisë kulturore.
Landau kërkoi falje nëse vizita e të dërguarit kishte shkaktuar paqartësi.
Mosmarrëveshjet për kompetencat
Në një e-mail të nëntorit të vitit 2025, Landau i kërkoi Zampollit të ndërpriste çdo angazhim që nuk lidhej drejtpërdrejt me diplomacinë kulturore. Ai pretendoi se i dërguari nuk kishte autoritet të merrej me çështje më të gjera të politikës së jashtme.
Në komunikimet pasuese, Landau e akuzoi Zampollin për ndërmarrjen e nismave të paautorizuara, përfshirë ato në fushën tregtare dhe ekonomike.
Zampolli, ndërkaq, ka argumentuar se përgjegjësia e tij buron drejtpërdrejt nga presidenti amerikan. Në një intervistë për Financial Times, ai e kishte përshkruar Trumpin si eprorin e tij kryesor.
Konflikti u përshkallëzua më tej në qershor, kur Zampolli kërkoi nga inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Shtetit nisjen e një hetimi ndaj Landaut, duke e akuzuar atë për rrjedhje informacioni në media. Landau i mohoi kategorikisht akuzat.
Pse ka rëndësi për Ballkanin?
Rasti është me interes për rajonin, sepse tregon se angazhimet e përfaqësuesve amerikanë në Ballkan mund të bëhen pjesë e mosmarrëveshjeve brenda vetë administratës në Uashington.
Vizitat dhe takimet e zyrtarëve amerikanë në Serbi dhe në Republikën Srpska kanë rëndësi politike për shkak të interesave amerikane në rajon, marrëdhënieve Kosovë–Serbi dhe zhvillimeve në Bosnjë e Hercegovinë.
Megjithatë, përplasja e bërë publike nuk dëshmon, në vetvete, se politika zyrtare amerikane ndaj Ballkanit ka ndryshuar. Ajo ngre kryesisht pikëpyetje për ndarjen e kompetencave, koordinimin diplomatik dhe mënyrën se si përfaqësohet administrata amerikane jashtë vendit.
Një zyrtar i administratës, i cituar nga POLITICO, e përshkroi konfliktin si një episod të turpshëm, të ngjashëm me një shfaqje groteske.
Zampolli, nga ana e tij, pretendoi se Landau e kishte sulmuar që nga dita e parë, ndërsa Departamenti i Shtetit deklaroi se Landau po përqendrohej në koordinimin e zyrtarëve për zbatimin e agjendës së politikës së jashtme të Trumpit dhe të sekretarit të Shtetit, Marco Rubio.


























