Taulant Kelmendi ka reaguar ndaj deklaratave të ish-ministres së Arsimit, Hykmete Bajrami, duke kritikuar mënyrën e mëparshme të blerjes së teksteve shkollore, shkruan KosovaPost.
Ai pretendon se gjatë pesë viteve rreth 52 milionë euro janë transferuar te shtëpitë botuese dhe se auditimet kanë konstatuar shkelje e abuzime.
Sipas Kelmendit, modeli aktual, ku mjetet u kalojnë drejtpërdrejt prindërve dhe kujdestarëve ligjorë, mundëson rishfrytëzimin e teksteve dhe mbështet familjet për shpenzime të tjera në fillim të vitit shkollor.
Postimi i plotë:
Paska reaguar ish-ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, duke thënë se mënyra e blerjes se teksteve shkollore ka qenë gjëja që ka funksionuar më së miri.
Në pesë vitet e tyre, afër 52 milionë euro kanë shkuar drejtpërdrejt në tri llogaritë e shtëpive botuese. Ka pasur auditime e raportime, ku janë konstatuar shkelje dhe abuzime, si dhe skema mashtrimi me librat e nxënësve. Janë transferuar shtëpi e banesa për të përfshirët.
Krejt këto, Hykmetja i di!
Tash, sigurisht që ju pengon që mjetet shkojnë në llogaritë e prindërve dhe kujdestarëve ligjorë, tekstet mund të rishfrytëzohen pa u blerë të reja dhe nxënësit mbështeten edhe për shpenzime të tjera në fillim të vitit shkollor.
Abuzimi me buxhetin, në emër të nxënësve nuk kalon dhe për këtë nuk ka kompromis.
Përfituesit mund të kenë vetëm nostalgji dhe dro se një ditë Prokuroria e Shtetit mund të funksionojë si duhet.


























