Viti 2021 nisi dhe përfundoi me zgjedhje. Pos mbajtjes së zgjedhjeve, vendi u përballë edhe me sfidat në luftimin e pandemisë COVID-19, përcjell KosovaPost.
Në shkurt të 2021 ishin caktuar të mbaheshin zgjedhjet qendrore, ndërsa në tetor ato lokale. Për një vend si Kosova, organizmi i dy palë zgjedhjeve brenda një viti konsiderohej barrë e rëndë edhe në aspektin buxhetor.
Zgjedhjet qendrore ishin të jashtëzakonshme, që pasuan një qeveri në detyrë pas rrëzimit të Qeverisë Kurti 1, ndërsa ato lokale ishin të rregullta të parapara në tetor.
Nga zgjedhjet qendrore fituese doli partia e Albin Kurtit, i cili formoi Qeverinë me Listën Guxo dhe me deputetët e partive të pakicave nga komunitetet e partive, rome, boshnjake, egjiptiane. Më 22 mars 2021, Kuvendi i Kosovës votoi formimin e Qeverisë Kurti.
Por përveç sfidave me të cilat përballej vendi, viti 2021 ishte i mbarë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
FSK në mars kishte nisur misionin e parë paqeruajtës. Më 9 mars 2021 është mbajtur ceremonia e nisjes së kontingjentit të parë paqeruajtës të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kuvajt.
Kontingjenti i FSK-së ka qëndruar gjashtë muaj në Kuvajt me Gardën Kombëtare të Iowa-s, mision ky që u quajt historik.
Ndërsa, muaji prill e gjeti vendin me presidente të re. Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje nga lista “Guxo”, Vjosa Osmani është zgjedhur Presidente e Kosovës. Osmani ishte zgjedhur presidente në raundin tretë që ishte final për përcaktimin e presidentit të ri të vendit.
Gjatë 2021 dialogu Kosovë-Serbi nuk po gjente rrugë. Kosova dhe Serbia nuk po pajtoheshin për temat e dialogut. Madje, takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel ishte zhvilluar me tensione.
Në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Qeveria Kurti kishte paralajmëruar vendosjen e masës së reciprocitetit për targat, pasi marrëveshja e cila ishte arritur vite më parë skadonte më 15 shtator dhe se Kosova nuk do ta respektojë atë njëanshëm.
Pas skadimit të marrëveshjes, më 20 shtator, forca të mëdha policore u vendosën në pikën kufitare Jarinjë -Bërnjak për të zbatuar masën e reciprocitetit.
E gjithë kjo krijoi pakënaqësi të serbëve, të cilët protestuan për dy javë, duke bllokuar rrugën në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak dhe një situatë e tillë u tejkalua vetëm pas arritjes së marrëveshjes për targat Kosovë-Serbi, më 30 shtator.