Sipas njoftimit, pas pranimit të informacioneve për rastin, Policia ka ndërmarrë veprimet fillestare dhe ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).
Policia ka bërë të ditur se ka bashkëpunuar me IPK-në për sigurimin dhe dokumentimin e provave, duke ia dorëzuar këtij institucioni të gjitha informacionet dhe provat e kërkuara.
Po ashtu, pala ankuese është udhëzuar që të paraqitet në IPK për të dhënë deklaratën para hetuesve.
Pas shqyrtimit të informacioneve dhe provave, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë, rekomandim ky që është zbatuar nga menaxhmenti i Policisë së Kosovës.
Në njoftim përmendet edhe suspendimi i dy zyrtarëve policorë në Gjilan, rast për të cilin Policia thotë se ka bashkëpunuar ngushtë me IPK-në.
Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për transparencë dhe llogaridhënie, duke theksuar se çdo informacion për sjellje të mundshme joprofesionale të zyrtarëve policorë do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me procedurat ligjore.


























