Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion në kuadër të planit operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2026”, me qëllim parandalimin dhe luftimin e prerjes dhe transportit të kundërligjshëm të masës drusore, përcjell KosovaPost.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara nga njësitet policore në Ferizaj, janë ndaluar dhe konfiskuar pesë furgona dhe një kamion, të cilët dyshohet se transportonin dru pa dokumentacion të rregullt.
Për rastet janë njoftuar zyrtarët kompetentë të Agjencisë së Pylltarisë së Kosovës, ndërsa masa drusore është konfiskuar.
Policia ka bërë të ditur se në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse do të vazhdojë kontrollet dhe veprimet operative për mbrojtjen e pasurisë pyjore dhe parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme.
“Mbrojtja e pyjeve dhe pasurisë natyrore mbetet prioritet i institucioneve të sigurisë dhe përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve”, thuhet në njoftimin e Policisë.


























