“Politika e Albin Kurtit çon në konflikte të reja dhe destabilizim të të gjithë rajonit”, tha sot Kryetari i Komitetit të Kuvendit të Serbisë për Kosovën, Milovan Drecun. Ai deklaroi se Kryeministri i Kosovës është i lidhur me të kaluarën dhe se politika e tij është “luftë e ftohtë”, raporton Kosova Post.
Drecun tha se “mentaliteti” i Albin Kurtit si politikan është i qartë, pasi zgjedhjet që ai i fitoi i konsideron historike dhe se për këtë arsye nuk pranon asnjë marrëveshje që paraardhësit e tij arritën me Beogradin.
“Kjo është arsyeja pse ai mohon Marrëveshjen e Brukselit, përpiqet ta përmbysë plotësisht atë dhe të shkatërrojë dialogun; kjo është arsyeja pse ai nuk do të formojë Asociacionin e Komunave Serbe, prandaj ai nuk dëshiron që Kosova të bëhet pjesë e iniciativës Ballkani i Hapur; prandaj hynë në ‘konflikt’ me Edi Ramën ” – shpjegoi ai.
“Kurti nuk dëshiron të marrë pjesë në asnjë iniciativë nëse Kosovë nuk njihet nga Serbia. Meqenëse, ai nuk mund ta arrijë këtë, ai po merr një rrugë tjetër që çon në vetë-izolim”, tha Drecun.
Sipas tij, Kurti prezantohet para publikut vendas si i gjithëpushtetshëm, si i vetmi që mund të bëjë diçka për Kosovën dhe kjo është arsyeja pse ai minon gjithçka që ka të bëjë me Beogradin.
Drecun pret që Kurti të vazhdojë edhe më tutje me një sjellje të tillë, dhe kjo tregon se ai nuk ka reagime të ashpra nga Brukseli, Berlini dhe Uashingtoni, përkatësisht, askush nuk po përpiqet ta largojë Kurtin nga kjo rrugë.
“Është një rrugë që çon në destabilizim të ri dhe konflikte të reja që janë politike, që çojnë në një numër në rritje të sulmeve të motivuara etnikisht ndaj serbëve në Kosovë dhe në destabilizim të rajonit” paralajmëroi Drecun./KosovaPost/