Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula ka pranuar mesazhe urimi me rastin e marrjes së detyrës nga presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, dhe ai i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviç.
Në mesazhin e tij, presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, ka shprehur dëshirën që bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve të marrë një shtysë të re dhe të thellohet më tej, në përputhje me angazhimin e vazhdueshëm të Italisë në mbështetje të Kosovës, i dëshmuar edhe nga pjesëmarrja në misionin e KFOR-it, komandën e të cilit Italia do ta marrë sërish së shpejti.
“Shpresoj gjithashtu që, gjatë mandatit tuaj, Kosova të arrijë përparim konkret dhe të qëndrueshëm në reformat e brendshme të nevojshme për ta afruar vendin me familjen e përbashkët evropiane. Në këtë rrugëtim sfidues, Kosova do të mund të mbështetet në përkrahjen tonë”, thuhet në letrën e presidentit Mattarella.
Ndërkaq, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit, veçanërisht për sigurinë dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore.
“Kroacia do të vazhdojë të mbështesë integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe formatet e bashkëpunimit rajonal, me theks të veçantë në anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Shpresoj për një mundësi të shpejtë për një takim personal dhe shkëmbim pikëpamjesh mbi perspektivat e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve tona”, ka shkruar ndër të tjera në letrën e urimit presidenti Milanoviç.


























