Prokurori Joshua Hafetz deklaroi në Hagë se dëshmitari i parë që, sipas Prokurorisë, ishte shënjestruar nga Hashim Thaçi ishte Sylejman Selimi, i njohur në proces si dëshmitari 5.
Sipas Hafetzit, Hajredin Kuçi kishte pranuar t’ia përcillte Selimit mesazhet e Thaçit. Në vijim të seancës, Prokuroria prezantoi një audio-incizim, në të cilin, sipas saj, dëgjohet Thaçi duke i dhënë Kuçit udhëzime lidhur me atë që duhej t’i përcillej Selimit.
Prokurori tha gjithashtu se Thaçi, përmes pëshpëritjeve, i kishte dhënë Kuçit udhëzime edhe lidhur me mënyrën se si duhej të dëshmonte Bislim Zyrapi.
Sipas Prokurorisë, synimi ishte që ngjarjet nga e kaluara të paraqiteshin në një mënyrë që do të ishte në favor të Thaçit.
“Thaçit i nevojitej që Zyrapi të jepte përgjigje të sakta për strukturën e Shtabit të Përgjithshëm dhe përgjegjësinë e personave, përfshirë edhe Thaçin, që të minimizonin përgjegjësinë penale të Thaçit përpara nëntorit të 1998-s”, tha Hafetz.
Ai pretendoi se Thaçi kishte kërkuar që nga përgjegjësia të përjashtohej periudha e verës së vitit 1998. Sipas prokurorit, kjo lidhej edhe me dëshminë e mëparshme të Zyrapit, i cili e kishte përshkruar Thaçin si person mbi Shtabin e Përgjithshëm.
“Vetë Kuçi nuk ka qenë pasiv, ai u pajtua se ky dëshmitar duhet të ndryshojë dëshminë që t’i përshtatej kërkesave të Thaçit”, deklaroi Hafetz.


























