Qeveria e Kosovës ka miratuar disa projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve financiare me Bashkimin Evropian. Ekzekutivi në mbledhjen e sotme i dha dritën e gjelbër programeve IPA 2021, IPA 2022 dhe Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027.
Kryeministri, Albin Kurti, tha se miratimi i këtyre marrëveshjeve do të bëjë që Kosova të përfitojë rreth 300 milionë euro.
“Amandamenti i marrëveshjes financiare për programin IPA 2021 krijon kushte më të përshtatshme për realizimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian. Zgjatja e periudhës së zbatimit e mundëson vijimin e procedurave për kontraktimin dhe shfrytëzimin e fondeve në vlerë prej 22.2 milionë eurosh… Me amandamentin për programin IPA 2022 krijojmë kushtet për kontraktimin dhe shfrytëzimin e fondeve në vlerë prej 55.7 milionë eurosh të mbështetjes së Bashkimit Evropian… Programi shumëvjeçar IPA 2026-2027 mbështet realizimin e projekteve në vlerë të përgjithshme prej 193 milionë e 856 mijë eurosh. Kjo paketë përfshin rreth 180.5 milionë euro nga Bashkimi Evropian, 9 milionë euro bashkëfinancim nga qeveria, 1.8 milionë euro nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe 2.5 milionë euro nga partnerët e tjerë zhvillimorë”, tha ai.
Krahas kësaj, qeveria miratoi edhe plotësim-ndryshimin e ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026.
“Me qëllim që të mbulohen nevojat financiare sa i përket hapësirave buxhetore. Më konkretisht, 102 milionë euro parashihet që të ndahen te kontigjenca e pagës në mënyrë që të mbulohen paga e 13 dhe të mbulohet pagesa retroaktive për diferencën e shtesës 0.3 për qind, siç e ka paraparë Gjykata Kushtetuese”, theksoi Murati.
Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi miratoi edhe projektligjin për anëtarësimin e Kosovës në SEPA, që do të mundësojë uljen e tarifave për transfere ndërkombëtare, Projektligjin për menaxhimin e resurseve ujore, si dhe disa vendime për shpronësimin e tokave për interes publik.


























