Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar të premten mbledhjen e katërt, e cila është mbajtur në mënyrë elektronike.
Në këtë mbledhje, Qeveria ka miratuar vendimin për t’iu përgjigjur kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, me nr. Prot. 1108, të datës 23 shtator 2026, lidhur me nismën legjislative për Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Sipas vendimit të miratuar, Qeveria do të japë vlerësimin e saj lidhur me këtë nismë legjislative, i cili përfshin tri aspekte kryesore.
Vlerësimi përfshin opinionin ligjor për përputhshmërinë me acquis të Bashkimit Evropian, vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor lidhur me përmbajtjen e projektligjit.
Vendimi i Qeverisë vjen në kuadër të përgjigjes ndaj kërkesës së Kuvendit për shqyrtimin e nismës për ndryshimin dhe plotësimin e legjislacionit që rregullon Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.


























