Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se më 15 shtator 2026 është regjistruar rasti i parë i vdekjes së një pacienti të diagnostikuar me Virusin e Nilit Perëndimor (WNV), përcjell KosovaPost.
Sipas QKUK-së, pacienti Rr. I., i lindur më 2 maj 1960, ishte hospitalizuar në Klinikën Infektive më 10 shtator, me diagnozën meningoencephalitis acuta dhe në gjendje të rëndë klinike.
QKUK ka bërë të ditur se para hospitalizimit pacienti ishte trajtuar në mënyrë ambulatore për pesë ditë.
“Në ditën e hospitalizimit janë realizuar ekzaminimet e nevojshme diagnostike dhe është iniciuar menjëherë trajtimi konform gjendjes së tij klinike, si dhe janë realizuar konsultat përkatëse”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.
Sipas QKUK-së, në kuadër të ekzaminimeve laboratorike është realizuar edhe analiza RT-PCR për Virusin e Nilit Perëndimor, e cila ka rezultuar pozitive.
QKUK ka njoftuar se gjendja shëndetësore e pacientit ka vazhduar të jetë tejet e rëndë dhe se ai ka kërkuar trajtim intensiv.
“Gjatë kësaj periudhe janë ndërmarrë të gjitha masat dhe procedurat e nevojshme mjekësore, si dhe është vazhduar trajtimi medikamentoz konform gjendjes klinike”, ka bërë të ditur QKUK.
QKUK ka njoftuar se, përkundër përpjekjeve të stafit mjekësor dhe trajtimit të ofruar, pacienti ka vdekur në orën 08:40, më 15 shtator 2026.


























