Ambasadat e shteteve të QUINT-it (Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë) kanë shprehur keqardhje për vendimin e Listës Serbe që të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale që do të mbahen për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës, më 23 prill.
“Na vjen keq që Lista Serbe nuk e shfrytëzoi të drejtën demokratike për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Presim që autoritetet përkatëse të veprojnë me profesionalizëm. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen e shmangin dhunën, që mund të pengojë zgjedhjet”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të QUINT-it.
Nga Lista Serbe kanë thënë se vendimi për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës është “si pasojë e dhunës së vazhdueshme institucionale të ushtruar ndaj popullit serb nga regjimi i Albin Kurtit, duke privuar serbët nga të gjitha të drejtat”.
Kurse, kryeministri Albin Kurti ka thënë se “kjo është shenjë e kontrollit të Beogradit mbi partinë dhe ndërhyrjes së vazhdueshme në punët e brendshme të Kosovës”, si dhe ka kërkuar që Bashkimi Evropian ta dënojë “shkeljen e shpejtë të Marrëveshjes Themelore”.
Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi janë pa kryetarë që nga dorëheqja e serbëve në nëntor të vitit të shkuar, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për çështjen e targave ilegale.