Shqipëria nuk mund t’i dhurojë Kosovës doza vaksine anti-covid-19.
Disa javë më parë, premtoi se Kosovës do i dhurohet një numër i caktuar vaksinash për mjekët dhe infermierët që janë në front, vijën e parë të zjarrit.
Por mbrëmjen e sotme kreu i qeverisë shqiptare tha se zotimi nuk mund të përmbushet, pasi rregullat strikte të kompanisë “Pfizer” nuk e lejojnë një gjë të tillë. Zgjidhja? Edi Rama u shpreh se i ka kërkuar ministrit të Shëndetësisë së Kosovës që sjellë mjekët e spitalit të Prishtinës në Tiranë për t’u vaksinuar.
“Ne kemi filluar vaksinimin me doza që kanë ardhur dhuratë nga një vend mik i BE-së, emrin e të cilit ende nuk mund t’jua komunikoj, ndërkohë që kemi kontratën me “Pfizer”, ne Shqipëria dhe përveç nesh edhe Serbia. Vendet e tjera, sikur po e ndiqni janë ende në një situatë pritshmërie në kushtet kur cështja e vaksinës po komplikohet gjithnjë e më shumë dhe Europa ka hyrë në një kaos me jo vetëm BE-në, por edhe vende të tjera të mëdha që kërcënojnë me ndjekje në rrugë ligjore. I them këto për të mos harruar që ne jemi në kushtet që procesin e kemi garantuar dhe do ta vazhdojmë falë faktit që nuk e lamë veten në dorë, të të tjerëve, nuk pritëm COVAX-in, që është ende në një proces që nuk duket kur e ka fillimin. Ata nuk japin asnjë sinjal qartësie.
Situata mund të ndryshojë nga dita në ditë, por që jo ndodh me vaksinën jashtë kamerave është “sagë” në vete, luftë tregtare, politike, e jashtëzakonshme. Ne ja kemi dalë të mos mbetemi në rrethin vicioz që janë shumë të tjerë.