Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit ka reaguar sërish pas vendimit të djeshëm në Hagë.
Jakup Krasniqi u dënua më 25 vjet burg.
Altini tha se dje u thye besimi i familjes në drejtësi. “Njeriu është më i fortë se guri. Çka s’mund ta mbajë guri, e mban njeriu. Sa e vërtetë paska qenë kjo fjalë, babë. Jeta ka qenë e padrejtë me ty, por ti prapë qëndrove me kokën lart. Gjashtë vjet pritje, gjashtë vjet dhimbje, e asnjëherë nuk ta pamë kokën të ulur. Pas këtij aktgjykimi, nuk u theve ti. U thye diçka brenda nesh. U thye besimi ynë në drejtësi. Por ne do të vazhdojmë të qëndrojmë. Ashtu siç na ke mësuar ti. Me dhimbje në zemër, por me kokën lart. Me kokën lart, babë. Gjithmonë”, shkruan djali i Jakup Krasniqit.


























