Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar lidhur me çështjen e vagonëve të dërguar për riparim në Zrenjanin të Serbisë, duke thënë se kjo praktikë kishte nisur që në vitin 2017.
Sipas saj, vagonët ishin dërguar për riparim në Serbi për herë të parë menjëherë pas blerjes së tyre, në një procedurë që, siç theksoi, kishte nisur gjatë Qeverisë Mustafa, ndërsa ishte realizuar dhe përuruar gjatë Qeverisë Haradinaj.
Rizvanolli ka përmendur edhe ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili në atë kohë kishte marrë pjesë në përurimin e vagonëve të riparuar në Serbi.
“A ka qenë AAK-ja e brengosur për këtë çështje në vitin 2017, kur ministri i tyre e priste shiritin për vagonët e riparuar në Serbi?”, ka shkruar Rizvanolli në Facebook.
Reagimi i ministres në detyrë vjen pas publikimit të një dokumenti nga deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, sipas të cilit dëshmohet se vagonë të kompanisë publike ‘Trainkos’ janë dërguar në Serbi për riparim gjatë vitit 2024.


























