Është rrëzuar helikopteri i cili po bartte presidentin iranian Ebrahim Raisi. Ekipet emergjente po bëjnë të pamundurën për të gjetur të mbijetuarit, ndonëse në kushte jo të favorshme të motit.
Mediet iraniane deklaruan se aksidenti ndodhi afër qytetit Jolfa në lindje të vendit, përderisa presidenti iranian ishte duke u kthyer nga një vizitë zyrtare në Azerbajxhan.
Së bashku më presidentin Raisi gjendeshin edhe ministri i punëve të jashtme të Iranit dhe përfaqësuesi i udhëheqësit suprem iranian.
Gjendja e personave në bordin e helikopterit mbetet e panjohur për momentin, ndërsa raportohet se ende nuk është arritur asnjë kontakt. Sipas medieve lokale, presidenti Raisi ishte nisur për në qytetin e Tabrizit, në veriperëndim të Iranit.
Ministri i Brendshëm deklaroi se ekipet e shpëtimit po bëjnë të pamundurën në kërkimin e helikopterit të aksidentuar mirëpo kushtet e vështira të motit janë duke e vështirësuar kërkimin në vendin ku mendohet se mund të këtë rënë helikopteri. Mjegulla e dendur ka pamundësuar dukshmërinë në vetëm pesë metra në zonën malore dhe të pyllëzuar.
Ahmad Alirezabeigi deputet iranian për qytetin e Tabrizit, deklaroi para gazetarëve në Teheran se ekipet e shpëtimit ende nuk e kanë gjetur vendndodhjen e helikopterit./rtk


























