Shaheen: Putin po tenton të na rraskapitë, sanksionet synojnë të godasin të ardhurat e Rusisë
Senatorja demokrate amerikane Jeanne Shaheen ka thënë se Rusia po përpiqet ta rraskapitë Perëndimin përmes luftës në Ukrainë dhe se presioni ekonomik ndaj Moskës duhet të vazhdojë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Shaheen, demokratja më e lartë në Komitetin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe bashkëkryesuese e Grupit të Vëzhguesve të NATO-s në Senat, foli për projektligjin e ri për sanksione ndaj Rusisë, luftën në Ukrainë dhe aktivitetet ruse ndaj NATO-s.
Ajo tha se projektligji, i miratuar me mbështetje të gjerë dypartiake në Kongres, synon sektorin financiar dhe energjetik të Rusisë, oligarkët dhe të ardhurat nga nafta e gazi që përdoren për financimin e luftës.
Shaheen tha se masat parashohin edhe tarifa ndaj vendeve që blejnë naftë dhe gaz rus, duke përmendur Kinën dhe Indinë si blerësit kryesorë. Sipas saj, presioni do të synojë edhe të ashtuquajturën “flotë në hije” që përdoret për transportin e naftës ruse.


























