SHBA-ja dhe Ukraina takohen në Miami për propozime të reja për përfundimin e luftësPërfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës do të takohen të premten, më 9 tetor, në Miami, për të diskutuar propozime të reja që synojnë përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Ndërkohë, të dërguarit amerikanë mund të rikthehen në Moskë më vonë gjatë këtij muaji për bisedime të tjera me presidentin rus, Vladimir Putin, transmeton Telegrafi.
Sipas Axios, duke cituar zyrtarë amerikanë dhe ukrainas, bisedimet dyditore pritet të përqendrohen në mënyrat e mundshme për të zhbllokuar procesin diplomatik. Në mesin e propozimeve që mund të shqyrtohen është edhe një armëpushim i pjesshëm, që do të përfshinte ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe transportit të drithërave.
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po synon të arrijë përparim diplomatik përpara zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA dhe ardhjes së dimrit të ashpër në Ukrainë.“Jemi të gjithë të shqetësuar për dimrin. Do të jetë një dimër i vështirë nëse lufta nuk ndalet.
Prandaj, SHBA-ja po përpiqet të ndërmjetësojë mes palëve, me synimin për të hartuar një propozim të përbashkët”, tha një burim amerikan për Axios.Të enjten, të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner u takuan me presidentin Trump për t’i paraqitur propozimin më të fundit të SHBA-së dhe për të marrë komentet e tij përpara takimit në Miami.
Në takim morën pjesë edhe sekretari i Thesarit, Scott Bessent, dhe zëvendëskëshilltari për Sigurinë Kombëtare, Mike Needham.Delegacioni ukrainas pritet të përfshijë shefin e kabinetit të presidentit Volodymyr Zelensky, Kyrylo Budanov, sekretarin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, Rustem Umerov, kreun e grupit parlamentar të partisë “Shërbëtori i Popullit”, Davyd Arakhamia, si dhe zëvendësministrin e parë të Jashtëm, Serhiy Kyslytsya.
Në bisedime do të marrë pjesë edhe Oleh Ivashchenko, kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Ukrainës (HUR).SHBA-ja ka ftuar gjithashtu këshilltarë për sigurinë kombëtare nga Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, si dhe përfaqësues të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.Sipas një burimi amerikan, në agjendë do të përfshihen garancitë e sigurisë për Ukrainën, një plan për rimëkëmbjen ekonomike pas luftës dhe çështje të tjera që lidhen me konfliktin.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi të enjten se Kievi po diskuton me Uashingtonin mundësinë e një armëpushimi që do të ndalonte sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe transportit të drithërave.“Sa i përket asaj që mund të jetë realiste apo më realiste, ende nuk jam gati të them. Nuk dua të them diçka dhe pastaj Rusia, si gjithmonë, të bëjë të kundërtën nga inati.
Prandaj, le të presim dhe të shohim”, deklaroi Zelensky.Sipas Axios, Ukraina ka shprehur gatishmërinë për të pranuar një armëpushim të tillë, ndërsa Rusia deri më tani ka treguar pak interes për propozimin.Witkoff dhe Kushner mund të udhëtojnë sërish drejt Moskës më vonë gjatë tetorit për bisedime me Putinin.
Të dy vizituan Moskën dhe Kievin në fillim të shtatorit dhe që atëherë kanë punuar me zyrtarë rusë dhe ukrainas për përditësimin e një nisme paqeje.Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të enjten në Lisbonë se lufta ka arritur në një “ngërç”.
Ai tha se Uashingtoni dëshiron të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm gjatë muajit të ardhshëm dhe të gjejë një rrugë drejt përfundimit të konfliktit.Megjithëse në Kiev ka skepticizëm për mundësinë e një përparimi të rëndësishëm, një zyrtar ukrainas i tha Axios se zgjedhjet e mesmandatit në SHBA dhe interesimi i Rusisë për lehtësimin e sanksioneve mund të krijojnë stimuj që Putini të pranojë një formë armëpushimi.


























