Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Hungarisë në Kosovë, me rastin e 70-vjetorit të Revolucionit Hungarez të vitit 1956, pêrcjell KosovaPost.
Në fjalën e saj, Shiroka Pula ka vlerësuar guximin e qytetarëve hungarezë në përpjekjet e tyre për liri, dinjitet dhe pavarësi, duke theksuar se këto aspirata mbeten pjesë e rëndësishme e trashëgimisë evropiane.
“Populli i Republikës së Kosovës, e kupton mirë se çfarë rëndësie ka liria për një komb. Historia jonë, duke nisur që nga qëndresa e Gjergj Kastriotit Skënderbeut deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpallja e pavarësisë, dëshmon për përpjekjen e vazhdueshme të shqiptarëve për liri, dinjitet dhe të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre”, ka thënë presidentja.
Ajo ka përmendur edhe lidhjet historike ndërmjet shqiptarëve dhe hungarezëve, duke përmendur marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit Skënderbeut me Janosh Huniadin dhe djalin e tij, Matias Korvinin.
Sipas Shiroka Pulës, kjo trashëgimi historike përbën një pikë referimi për marrëdhëniet e sotme ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, të cilat zhvillohen përmes bashkëpunimit diplomatik, në fushën e sigurisë, arsimit dhe ekonomisë.
Presidentja ka rikujtuar se Hungaria e njohu pavarësinë e Kosovës në mars të vitit 2008 dhe se aktualisht kontribuon me mbi 400 trupa në misionin e KFOR-it.
Ajo ka vlerësuar gjithashtu mundësitë që programi i bursave Stipendium Hungaricum u ofron të rinjve kosovarë për arsimim dhe shkëmbim përvojash.
Në fund, Shiroka Pula ka shprehur respektin për historinë dhe qëndresën e popullit hungarez, duke theksuar se Kosova dhe Hungaria kanë mundësi ta thellojnë më tej bashkëpunimin, mbi bazën e respektit të ndërsjellë, dialogut dhe synimit të përbashkët për një Evropë të paqes, sigurisë dhe demokracisë.


























