Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka vizituar familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, transmeton KosovaPost.
Sipas njoftimit nga Presidenca, gjatë takimeve, presidentja shprehu solidaritetin me familjet, duke theksuar se kjo është një periudhë e vështirë për to dhe për vendin.
Shiroka Pula ritheksoi se e drejta e apelit është pjesë e procesit gjyqësor dhe se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për ish-krerët e UÇK-së, në përputhje me përgjegjësitë dhe mundësitë institucionale.
Ajo tha se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri, e zhvilluar përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës.
Sipas njoftimit, presidentja i informoi familjet se, në përputhje me afatet ligjore, do të veprojë lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Familjet nuk janë vetëm në këtë rrugëtim dhe Presidenca e Republikës së Kosovës do të mbetet e hapur për to, duke vepruar brenda kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore në mbështetje të përpjekjeve për drejtësi”, thuhet në deklaratën e presidentes.





























