Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka uruar Akademinë e Shkencave të Shqipërisë me rastin e 54-vjetorit të themelimit, duke vlerësuar kontributin e saj në ruajtjen e trashëgimisë kombëtare dhe zhvillimin e shkencës.
Në mesazhin e urimit, Shiroka-Pula ka theksuar se Akademia, që nga udhëheqja e profesor Aleks Budës e deri te drejtimi aktual nga Skënder Gjinushi, ka qenë një institucion i rëndësishëm i dijes, kërkimit shkencor dhe mbrojtjes së trashëgimisë kombëtare.
Ajo ka vlerësuar se gjatë 54 viteve të veprimtarisë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka përfaqësuar një nga shtyllat e identitetit intelektual të kombit shqiptar, duke ruajtur trashëgiminë kombëtare dhe duke iu përgjigjur sfidave të reja në shkencë, inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Presidentja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e këtij institucioni për shqiptarët në Kosovë, duke e cilësuar atë si një referencë të rëndësishme të dijes dhe krenarisë kombëtare.
Sipas saj, në një kohë kur shoqëria shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri përballet me ndryshime të thella dhe kërkesa të shtuara për dije e ekspertizë, roli i Akademisë së Shkencave mbetet tejet i rëndësishëm.
Në fund të mesazhit, Shiroka-Pula ka shprehur dëshirën që Akademia të vazhdojë të jetë një hapësirë e hapur për dijen dhe studiuesit e rinj, si dhe të forcojë bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e shkencës dhe kulturës.
Ajo i ka uruar institucionit suksese të mëtejshme, botime të reja shkencore, projekte kërkimore dhe bashkëpunime ndërkombëtare që kontribuojnë në avancimin e shkencës shqiptare.


























