Anëtarja e Partisë Social Demokratike ka ndërruar partinë. Këtë e kanë konfirmuar nga zyra e LDK-së, raporton KosovaPost.
“Me kënaqësi ju njoftojmë se nga sot Shqipe Pantina është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo i bashkohet shtëpisë sonë politike si një profesioniste me përvojë të shquar në jetën publike”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Shqipja ka shërbyer për dy mandate si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Para angazhimit politik, ajo ishte pjesë e shoqërisë civile, sikurse dhe konsulente në projekte të ndryshme ndërkombëtare me organizata prestigjioze si USAID, BE, OSBE, NDI, IFES e IREX.
Shqipja i ka të mbaruara studimet bazike në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Shkencave Politike, ndërsa ka magjistruar në Universitetin e Gracit në Austri, në fushën e studimeve evropiane. Në vitin 2012 ka specializuar në Universitetin e Indianas të ShBA-ve në fushën e sistemeve zgjedhore.
Lidhja Demokratike e Kosovës sot është bërë adresa e vetme e profesionistëve të tillë. Nga këtu, kështu, e kemi për obligim t’i ofrojmë qytetarëve të vendit platformë politike të denjë për rrugëtimin e ardhëm që Kosova e meriton.
LDK – Zyra për Informim