Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, ka deklaruar se e ardhmja e Shqipërisë është në BE, ndërkohë që Shqipëria e mbylli kapitullin e katërt të negociatave me BE-në.
Në Luksemburg është mbajtur sot Konferenca e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim, duke shënuar mbylljen provizore të kapitullit 20 që lidhet me zhvillimin e sipërmarrjes, politikat industriale, mbështetjen e bizneseve, inovacionin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.
Në përfundim të konferencës ndërqeveritare u mbajt konferenca për mediat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, komisioneres Kos dhe ministrit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen të Irlandës, Thomas Byrne, vendi i të cilit mban presidencës e radhës të BE-së.
Rama theksoi se e dinë që ende kanë rrugë të gjatë për të bërë, por ai shtoi se janë gati dhe të përgatitur për t’ia dalë.
Kryeministri Rama shtoi se progresi matet mbi të gjitha me reformat e realizuara.
“Bëhet i katërti kapitull negociues që mbyllet provizorisht vetëm brenda pak muajsh. Ne jemi të vetëdijshëm se progresi nuk matet thjesht me numrin e kapitujve të mbyllur, këto janë gurë kilometrikë të rëndësishëm, nuk ka aspak dyshim, por progresi matet mbi të gjitha me reformat e realizuara, fuqizimin e institucioneve dhe rezultate e prekshme që janë arritur”, u shpreh Rama.


























