Shqipëria po shpopullohet çdo ditë dhe më shumë, ku lindshmëria ka rënë, çiftet e reja largohen nga vendi dhe emigracioni është në kulm, duke i nënshkruar Shqipërisë “certifikatën e vdekjes”.
Kështu u shpreh nga podiumi i protestës në ditën e 51-të të saj, një aktivist i ri.
Ai mori fjalën para Kryeministrisë me tone dhe akuza të forta ndaj qeverisë, duke ngritur shqetësimin për emigracionin, rënien demografike dhe largimin e të rinjve nga vendi.
“Do të flas katër minuta. Në katër minuta një nënë ka sjellë në jetë një bebe, po aq mjaftojnë që një njeri të bëjë gati valixhen. A do t’i përgatisim ne Shqipërisë certifikatën e vdekjes? Shqipërisë ia kemi nënshkruar certifikatën e vdekjes, sepse mijëra largohen çdo ditë”, u shpreh ai.
Aktivisti deklaroi se gjatë vitit të fundit janë larguar rreth 50 mijë qytetarë, duke e krahasuar këtë shifër me zhdukjen nga harta të disa prej qyteteve më të mëdha të vendit.
“Kemi larguar 50 mijë njerëz nga Shqipëria. Është sikur të marrësh Vlorën, Durrësin, Sarandën dhe Shkodrën nga harta, jo nga një fatkeqësi natyrore”, tha ai.


























