Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur me nota humori pyetjes së gazetarëve se si do të votojë nëse bëhet një referendum për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.
“Kjo është pyetja apo provokacija? Tani në rast se më pyesni në hipotezën e një referendumi paqësor për bashkimin Shqipërisë me Kosovën, unë do votoja hapur pro. Tani në rast se më pyesni a do të ndodhë kjo, po ju provokoj edhe unë them që do të ndodhë, nuk di kur do të ndodhë, si apo kur, por që kjo do të ndodhë një ditë unë them që po. Ata që dalin e bërtasin për Shqipërinë e Madhe ju them që fallxhorët nuk gjykohen se është fall. Nëse do të hidja fall dhe në këtë rast po e hedh me imagjinatë po them që do të ndodhë,” tha Rama, në konferencën e përbashkët me Albin Kurtin, pas mbledhjes së dy qeverive.
I pyetur nëse do të ndodhë kjo pa fall, por në realitet, kryeministri përgjigjet: “Pa fall unë fallin e futa në mes për përkthyesin dhe për ata që do dalin të thonë do përmbyset bota, do na pushtojnë shqiptarët. Më ndihmoni edhe ju thoni që foli zëri i fallxhorit.”
Pyetja për kryeministrin erdhi pas deklaratave të Albin Kurtit disa ditë më parë, i cili foli për një referendum të bashkimit të Shqipërisë me Kosovën dhe që u prit keq nga Beogradi.