Policia e Shtetit në Shqipëri ka njoftuar se 14 punonjës të saj janë lënduar si pasojë e sulmeve gjatë protestës në Tiranë sot, ndërsa deri më tani janë shoqëruar 35 persona.
Në një njoftim, Policia u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në protestë që të distancohen nga dhuna dhe të ndalojnë sulmet ndaj zyrtarëve policorë dhe institucioneve shtetërore, si dhe shkatërrimin e pronës publike e private.
“Distancohuni menjëherë dhe pa asnjë hezitim nga personat e dhunshëm e të maskuar! Mos i mbështesni dhe mos u bashkoheni atyre”, thuhet në thirrjen e Policisë së Shtetit.
Policia ka theksuar se ushtrimi i së drejtës për të protestuar nuk nënkupton të drejtën për të ushtruar dhunë, për të sulmuar zyrtarët policorë apo për të dëmtuar pronën publike dhe private.
Sipas njoftimit, shërbimet policore po vazhdojnë identifikimin dhe shoqërimin e personave që dyshohen për përfshirje në akte dhune dhe që janë maskuar gjatë tubimit.
Policia ka paralajmëruar se personat përgjegjës për këto akte do të identifikohen dhe do të përballen me ligjin, duke kërkuar që të ndalen menjëherë sulmet dhe të mos rrezikohet jeta e qytetarëve dhe e punonjësve policorë.
Ndërkohë sipas autoriteteve shëndetësore, dy protestues po trajtohen në spital.

























