Një ngjarje skandaloze ka ndodhur në “Spitali Amerikan 2” (American Hospital Kosova II) në Graçanicë, ku si pronar është Klodian Allajbeu “Imami i Shqipërisë” kreu i grupit për Ballkan në organizatën FETO, dhe sipas burimeve një foshnje e sapolindur është ngatërruar nga stafi mjekësor dhe nënës i është dorëzuar në shtrat një foshnje tjetër.
Ky ngatërrim i foshnjeve ka ndodhur më 18 mars 2026, vetëm disa orë pas lindjes së foshnjës. Në dokumentet zyrtare të siguruara nga Veriu.info bëhet i ditur fakti se nëna e foshnjës ka reaguar, duke thënë se kjo nuk është foshnja e saj, por që shqetësimi i saj ishte neglizhuar nga stafi mjekësor.

Si ndodhi ngatërrimi i foshnjave?
Në ankesën e bërë nga D.M. (emër i njohur për redaksinë), babai i foshnjës, thuhet se stafi mjekësor e ka marrë beben rreth orës 23:00 më 18 mars dhe e kanë kthyer të nesërmen një bebe tjetër te bashkëshortja e tij.
Ai tregon se si i kanë njoftuar infermieret, por që ato kanë thënë se nuk mund të ndodhë ndërrimi i bebeve, por që pas insistimit të tij, është bërë verifikimi dhe është konstatuar ndërrimi i foshnjës.
Në deklaratën me shkrim të dhënë për Inspektoratin Shëndetësor, infermierja Anlisa Latifi, ka treguar se pas alarmimit nga prindërit për ndërrim të foshnjës, ka shkuar në dhomën e pacientes. Ajo ka thënë se i është dukur e pamundur të ndodhë një gabim i tillë, por prindërit kanë insistuar duke bërë krahasime me foto të bebes që i kanë bërë në ditën paraprake.

Infermierja ka theksuar në deklaratë se fillimisht ka kërkuar varësen me emrin e pacientes që vendosen në dorën e foshnjës në momentin e lindjes, duke vërejtur se në varëse shkruante emri i një pacienteje tjetër dhe këtu ka kuptuar se foshnja që ishte në dhomë nuk ishte e tyre.
Inspektorati konstaton mangësi në identifikimin e foshnjës
Menjëherë pas denoncimit të D.M. për skandalin e ndërrimit të foshnjës së tij, inspektorët shëndetësorë kishin shkuar për inspektim në “American Hospital Kosova II”, ku janë konstatuar një varg parregullsish në këtë spital që emrin e ka amerikan, por që është në pronësi të një kompanie nga Shqipëria, ku në ueb faqen e saj shkruan se drejtor ekzekutiv është biznesmeni Klodian Allajbeu.
Në raportin e inspektimit të siguruar nga Veriu.info, Inspektorati Shëndetësor thotë se, pas marrjes së ankesës nga pacientja J.K. në “American Hospital Kosova II” ka kryer inspektimin, duke mbledhur deklaratat me shkrim nga mjekët që kanë trajtuar pacienten si dhe gjithë dosjen e pacientes në fjalë.

Inspektorët shëndetësorë gjatë inspektimit kanë konstatuar se personeli shëndetësor i “American Hospital Kosova II” nuk e ka marrë seriozisht dyshimin e nënës dhe nuk ka ofruar menjëherë verifikim, ku vetëm pas insistimit të nënës është bërë kontrolli i shiritit identifikues, me ç’rast është konstatuar se beba nuk i përkiste asaj.
Po ashtu është konstatuar se për këtë rast në “American Hospital Kosova II” ka pasur mangësi në procesin e identifikimit dhe verifikimit të bebes gjatë dorëzimit te nëna.

Inspektorët në raport kanë evidentuar se drejtori menaxhues i “American Hospital Kosova II”, Ledio Bazaiti ka pranuar faktin se ka ndodhur ky gabim, që ka pasur për pasojë ndërrimin e foshnjave.
Në fund të konstatimeve, thuhet se ky rast i ndërrimit të foshnjave nga infermieret tregon dështim në zbatimin e masave për sigurinë e pacientit dhe identifikimin korrekt të porsalindurve.
Infermierja që dorëzoi foshnjën e gabuar ishte e palicencuar
Mirëpo, konstatimi më shqetësues që lidhet me boshtin e ngjarjes, ka të bëjë me faktin se inspektorët shëndetësorë kanë zbuluar se infermierja Vlora Rama, e cila i kishte dërguar nënës foshnjën e gabuar, nuk ishte e lajmëruar dhe as licencuar nga “American Hospital Kosova II” në Divizionin për Licencim dhe Akreditim të Ministrisë së Shëndetësisë. Pra, puna e saj si profesioniste shëndetësore në “American Hospital Kosova II” ishte ilegale.
Inspektorët shëndetësorë me këtë rast i kanë ndaluar infermieres Vlora Rama ofrimin e shërbimeve shëndetësore në “American Hospital Kosova II” deri në lajmërim dhe licencim në sistemin e DLA në Ministrinë e Shëndetësisë.



Spitali nuk u gjobit për rastin skandaloz
Për dallim nga institucionet e tjera private shëndetësore, ku edhe për gabime të vogla janë shqiptuar gjoba, Inspektorati Shëndetësor nuk ka shqiptuar gjobë ndaj “American Hospital Kosova II” për këtë rast skandaloz e as për punën ilegale që ishte duke e bërë infermierja Vlora Rama.
Por Inspektorati Shëndetësor i ka dhënë spitalit “American Hospital Kosova II” të Klodian Allajbeut vetëm vërejtje me shkrim.

Veriu.info ka tentuar të marrë një qëndrim nga “Spitali Amerikan 2″ për këtë raport të Inspektoratit Shëndetësor, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kemi pranuar përgjigje për pyetjet e dërguara.


























