Kryetarit të Komunës së Rahovecit Smajl Latifi, iu kërkua shkarkimi i një drejtori nga inspektorati i arsimit, pasi u vunë në pah një varg shkeljesh, për të cilat ky drejtor është identifikuar si fajtori kryesor, transmeton Kosova Post.
Megjithatë, Kryetari Latifi, përveç që nuk e ka zbatuar këtë vendim të inspektoratit, dyshohet që e ka kërcënuar inspektorin i cili është marr me rastin e Drejtorit Avni Morina.
Inspektori Gjergj Gojani, në një bisedë me Kosova Post, ka deklaruar se është kërcënuar në disa forma nga Kryetari Latifi, duke shtuar madje se për këtë gjë, është duke e përgatitur një padi.
Latifi i është kundërpërgjigjur me të njëjtën monedhë duke e mohuar këtë gjë:
“Unë nuk kam biseduar me të as sot, as dje, as pardje” – i ka thënë ai Kosova Press-it duke këmbëngulur se vendimi për shkarkim të drejtorit ka qenë i pavend dhe prandaj ka deklaruar se nuk do ta zbatojë. Për këtë çështje, Latifi, ka kërkuar të nisin hetimet nga Prokuroria e Gjakovës. Sipas tij, tash me këtë rast po merren organet kompetente./KosovaPost/