Zëdhënësi i fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, në një konferencë për media ka thënë se nesër vendi pret një proces zgjedhor demokratik dhe transparent, i cili është vendimtar për të ardhmen e Kosovës.
“Pas 9 shkurtit, Bedri Hamza do të marrë drejtimin e qeverisë, do ta rikthejë ritmin e zhvillimit, do të sjellë stabilitet dhe do të fillojë ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt për të gjithë”, ka shtuar ai.
Stavileci ka theksuar se zgjedhjet e nesërme janë më shumë se një garë politike, por një vendim për të ardhmen e Kosovës.
“Me lidershipin e kryetarit Memli Krasniqi, i cili ka udhëhequr me shembull gjatë gjithë fushatës dhe me Bedri Hamzën, një lider i dëshmuar, një njeri i besës dhe i veprës, që di të menaxhojë sfidat dhe ta çojë Kosovën përpara”, ka shtuar ai.
Partia Demokratike e Kosovës sonte organizon tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.