Studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë paralajmëruar protestë të hënën në Prishtinë, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit dënues të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Protesta do të mbahet nën moton “Studentët për drejtësi”, ndërsa tubimi është paralajmëruar në Sheshin “Skënderbeu”.
Sipas njoftimit të Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, studentët do të mblidhen në orën 11:30 te Qendra e Studentëve, prej nga do të marshojnë drejt sheshit qendror të kryeqytetit.
“Të hënën, të gjithë në shesh! Për UÇK-në, për drejtësinë, për historinë tonë. Në 11:30, mblidhemi tek Qendra e Studentëve dhe marshojmë së bashku drejt Sheshit Skënderbeu”, thuhet në njoftimin e Parlamentit Studentor.
Në njoftim, studentëve u bëhet thirrje që të marrin pjesë pa maska.
“Ejani pa maska. Jemi në të drejtën tonë dhe nuk kemi asgjë për të fshehur. Jo në emër të studentëve”, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info/


























