Sjellja e disa protestuesve ndaj deputetit dhe profesorit universitar Prof. Dr. Fahrush Rexhepi ka nxitur reagime të ashpra, veçanërisht për mënyrën se si ai është trajtuar gjatë protestës, shkruan KosovaPost.
Kritikët e këtij veprimi e kanë cilësuar të turpshme sjelljen ndaj Rexhepit, duke theksuar se dashuria dhe respekti për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk maten me britma, fyerje apo sulme ndaj njerëzve që kanë kontribuar për vendin.
“Nuk e duan ata UÇK-në më shumë se Fahrushi, kurrë”, është shprehur një reagim në mbrojtje të deputetit.
Prof. Dr. Fahrush Rexhepi, i lindur më 2 maj 1960 në Sllatinë të Epërme të Vitisë, vjen nga një familje e njohur për traditën e saj atdhetare dhe kontributin kombëtar.
Kontributi i familjes Rexhepi lidhet drejtpërdrejt edhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Vëllai i tij, Njazi Rexhepi, ishte pjesëtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe ra dëshmor gjatë Betejës së Koshares.
Ndërsa vëllai tjetër, Jonuz Rexhepi, është veteran i luftës dhe pjesëtar i forcave të UÇK-së që morën pjesë në ofensivat e Koshares.
Për këtë arsye, reagimet në mbrojtje të Fahrush Rexhepit kanë rikujtuar se historia e një familjeje dhe kontributi i saj për lirinë e Kosovës nuk mund të fshihen nga një incident apo nga sjellja e disa protestuesve.
Respekti për UÇK-në, sipas këtyre reagimeve, duhet të shprehet duke respektuar edhe njerëzit dhe familjet që kanë dhënë kontribut konkret në luftën për çlirimin e Kosovës.


























