Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur angazhimin e Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Policisë së Kosovës për hetimin dhe suspendimin e tre zyrtarëve policorë, të dyshuar për ngacmim seksual dhe kontrollim të paligjshëm, duke keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar, përcjell KosovaPost.
Përmes një postimi, Sveçla ka theksuar se nuk do të lejohet që veprimet e individëve të dëmtojnë imazhin e Policisë së Kosovës dhe të pjesëtarëve që, sipas tij, shërbejnë me profesionalizëm për sigurinë e qytetarëve dhe të vendit.
Ai ka dënuar çdo keqpërdorim të pozitës zyrtare, duke nënvizuar se misioni i Policisë së Kosovës është shërbimi ndaj qytetarëve dhe se për shkelje të tilla nuk duhet të ketë kompromis.


























