Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës, në seancën e nesërme, ta miratojë Ligjin për Specialen në të dyja leximet, duke theksuar se procesi nuk duhet të shndërrohet në betejë politike, përcjell KosovaPost.
Tahiri, përmes një postimi, ka thënë se gjatë shqyrtimit në leximin e dytë duhet të verifikohet me kujdes nëse ka mbetur diçka pa u përfshirë nga Komisioni për Legjislacion dhe, nëse është e nevojshme, të bëhen amendamentet që e përmirësojnë ligjin.
“Nesër nuk duhet të bëhet lojë me asnjërin lexim”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka bërë thirrje që çështja të trajtohet me përgjegjësi dhe të mos shndërrohet në garë politike se kush paraqitet më mirë apo më i zëshëm.
Sipas Tahirit, miratimi i ligjit duhet të jetë vetëm pika e nisjes së një angazhimi më të gjerë institucional të Kosovës në mbrojtje të historisë dhe luftës çlirimtare.
“Nesër duhet të jetë një nisje e re”, ka theksuar ai.
Tahiri ka kërkuar që gjatë dy viteve të ardhshme shteti i Kosovës të tregojë seriozitet në raport me procesin gjyqësor në Hagë, duke ndërtuar një qasje institucionale, të qëndrueshme dhe të përgjegjshme për mbrojtjen e historisë dhe të vërtetës për luftën çlirimtare.
“Nesër nuk duhet të jetë fundi i një debati, por fillimi i një pune më të madhe të shtetit për çlirimtarët”, ka përfunduar Tahiri.


























