Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet të hënën, më 12 tetor, në orën 11:00, transmeton KosovaPost.
Sipas njoftimit të Kuvendit në rend dite është miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë, si dhe propozimi i rendit të ditës për seancën e radhës plenare.
Në mesin e pikave të propozuara për seancën plenare janë miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Kryesia pritet të shqyrtojë edhe përzgjedhjen e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Në rend dite është edhe formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë nga komuniteti shqiptar, një anëtar nga komuniteti serb dhe një anëtar nga komunitetet joshumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës.
Po ashtu, pritet të shqyrtohet propozimi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.
Në fund, Kryesia do të shqyrtojë propozimet dhe kërkesat e paraqitura.


























