Është thënë se samiti i klimës që do të mbahet në Egjipt ka shkaktuar tension mes mbretit të ri, Charles III dhe kryeministres së Britanisë, Liz Truss. Kjo pasi që mbreti i ri i Anglisë, donte të merrte pjesë në këtë samit që do të mbahet në muajin e ardhshëm, por kryeministrja Truss e kundërshtoi këtë, transmeton KosovaPost.
Sipas lajmit të bazuar në Sunday Times, mbreti i ri i Anglisë, Charles III, i njohur për fushatat e tij për ndryshimet klimatike, ka shkruar se dëshiron të marrë pjesë në samitin e klimës që do të mbahet muajin e ardhshëm në Egjipt, por Kryeministrja Liz Truss e kundërshtoi këtë. Sipas lajmeve, Mbreti Charles, i cili donte të fliste në samitin e Cop27, hoqi dorë nga pjesëmarrja në samit me këshillën e qeverisë Truss.
73-vjeçari ka luajtur një rol aktiv në samitet e mëparshme mjedisore. Mbreti mbajti fjalimin e hapjes në Cop21 në Paris në vitin 2015, duke bërë thirrje për një “fushatë të gjerë të stilit ushtarak” për të luftuar ndryshimet klimatike dhe duke u kërkuar liderëve botërorë që të japin “triliona, jo miliarda, dollarë”.
“MBRETI ËSHTË SHUMË I TRISHTUAR”
“Nuk është sekret që Mbreti ishte i ftuar. Ai duhej të mendonte me kujdes për vizitën e tij të parë jashtë vendit dhe, me këshillën e qeverisë, ai vendosi të mos merrte pjesë në takimin e klimës,” tha një zyrtar i lartë mbretëror. Zyrtari tha se Mbreti ende mund të dërgojë një mesazh mbështetjeje për samitin e klimës.
Një burim, nga ana tjetër, vuri në dukje se Charles, i cili madje planifikoi të fliste në këtë samit, ishte i zhgënjyer që nuk mund të merrte pjesë në samit. Duke kujtuar se Mbretëresha Elizabeth II mbajti një fjalim në samitin e klimës vitin e kaluar, burimi i lajmit thotë se: “Mbretit nuk duket se i është dhënë një zgjedhje. Qeveria mori një vendim të gabuar. Mbreti tashmë ka treguar se ai është i denjë për këtë detyrë.”
Shtypi britanik e interpretoi vendimin për të mos marrë pjesë në samit si një tregues se qeveria mund të tërhiqet nga premtimet e saj në luftën kundër krizës klimatike.
KRITIKA E CHARLSIT PËR QEVERINË KRIJOI DISKUTIME
Mbreti Charles foli në ceremoninë e hapjes së samitit Cop26 në Glasgow vitin e kaluar, duke u kërkuar liderëve botërorë të luftojnë krizën klimatike.
Nderkaq, Anglia e cila qeveriset nga një monarki kushtetuese, monarku në përgjithësi nuk ndërhyn në proceset politike. Megjithatë, kur mbreti Charles ishte trashëgimtar i fronit, kritikat e tij ndaj qeverisë krijuan polemika. Charles kishte kritikuar ashpër planin e qeverisë për të dërguar emigrantë të paligjshëm në Ruandë./KosovaPost/.