Tre persona janë arrestuar në Prizren nën dyshimin se janë përfshirë në veprën penale të fajdesë.Operacioni policor është zhvilluar më 18 gusht 2026 nga Sektori Rajonal i Hetimeve i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda dhe Prokurorinë Themelore në Prizren, përcjell KosovaPost.
Sipas Policisë së Kosovës, të arrestuarit janë B. S., F. S. dhe A. D. Ata dyshohet se në vazhdimësi kanë ushtruar presion ndaj një viktime, me qëllim të përfitimit të interesit nga veprimtaria e fajdesë, duke e detyruar atë të veprojë në dëm të pasurisë së tij.Si pasojë, të dyshuarit dyshohet se i kanë shkaktuar viktimës dëme të konsiderueshme materiale.
Ndërkohë, B. S. dyshohet edhe për veprat penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “aksident trafiku me lëndime”. Sipas policisë, gjatë tentimit për t’iu shmangur arrestimit, ai ka goditur me veturë një zyrtar policor dhe një qytetare, duke i lënduar të dy.
“Gjatë operacionit policor janë kontrolluar vendbanimet e të dyshuarve në 3 lokacione të ndryshme në komunën e Prizrenit, me ç‘rast janë sekuestruar dëshmi të ndryshme materiale, të cilat do të përdoren në procedurën penale”, thuhet në njoftim.
Ndaj tre personave të dyshuar, pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prizren, është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.


























