Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se në Grenlandë pritet të nisë eksplorimi në shkallë të gjerë i naftës, gazit dhe mineraleve.
Trump nuk dha detaje për planet e eksplorimit, por tha se, sipas ekspertëve, sasia e naftës lehtësisht të qasshme në Grenlandë është shumë më e madhe se në pothuajse çdo territor tjetër në botë.
“Ka ekspertë që thonë se sasia e naftës lehtësisht të qasshme është shumë më e madhe se në pothuajse çdo territor tjetër, kudo në botë”, shkroi Trump në një postim në rrjetin e tij social Truth Social.
Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara, Danimarka dhe Grenlanda nënshkruan një marrëveshje që synon t’i japë fund tensioneve, pas kërcënimeve të përsëritura të Trumpit për marrjen e kontrollit mbi ishullin, i cili ka rëndësi strategjike dhe pasuri të mëdha minerale.
Trump argumentoi gjithashtu se Grenlanda ka rëndësi të veçantë për sigurinë e SHBA-së, duke thënë se çdo sulm i ardhshëm ndaj vendit të tij mund të kalojë përmes këtij territori, ku, sipas tij, mbrojtja amerikane do të neutralizojë dronët, raketat dhe armët e tjera.
Marrëveshja e nënshkruar mes SHBA-së, Danimarkës dhe Grenlandës parasheh zgjerimin e rolit ushtarak amerikan në ishull, përfshirë hapjen e dy bazave të reja ushtarake dhe krijimin e kushteve për sistemin e mbrojtjes raketore “Golden Dome”.
Në të njëjtën kohë, marrëveshja riafirmon sovranitetin danez dhe të drejtën e banorëve të Grenlandës për vetëvendosje.


























