Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar ligjin e ri që parashikon sanksione ndaj Rusisë, me synim rritjen e presionit ekonomik ndaj Moskës për luftën në Ukrainë.
Ligji, i miratuar më herët nga Kongresi amerikan, prek sektorët energjetik dhe të mbrojtjes të Rusisë, si dhe zyrtarë të lartë rusë dhe institucione financiare.
Një nga masat kryesore i jep presidentit amerikan autoritetin për të vendosur tarifa deri në 100 për qind ndaj vendeve që blejnë sasi të mëdha të naftës ose gazit rus. Masa mund të prekë edhe blerës të mëdhenj të energjisë ruse, përfshirë Kinën dhe Indinë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka falënderuar Trumpin për nënshkrimin e ligjit.
“Faleminderit Presidentit Trump që e nënshkroi këtë ligj”, ka deklaruar Zelensky.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin ka kritikuar Bashkimin Evropian, duke pretenduar se BE-ja po përpiqet të fshehë gabimet e veta duke folur për përgatitje për një luftë me Rusinë.
Tensionet janë shtuar edhe në hapësirën ajrore të Baltikut. Sipas raportimeve, dy avionë ushtarakë rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore të Lituanisë dhe janë larguar pas ndërhyrjes së dy avionëve italianë Eurofighter, të ngritur në kuadër të misionit të NATO-s për mbrojtjen ajrore në krahun lindor.

























