Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” u bën thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të marrin përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe politike dhe të votojnë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Kosova nuk duhet të humbasë më kohë në përplasje politike dhe në procese të përsëritura zgjedhore. Në këtë moment të rëndësishëm për vendin, prioriteti duhet të jetë forcimi i institucioneve, funksionimi normal i shtetit dhe ruajtja e stabilitetit demokratik.
Personaliteti i Bekim Sejdiut i bën nder institucioneve të Republikës së Kosovës. Ai përfaqëson një figurë me integritet të lartë dhe me përvojë, që mund t’i shërbejë forcimit të institucioneve të shtetit të Kosovës, stabilitetit të brendshëm dhe forcimit së imazhit ndërkombëtar.
Vatra beson se deputetët e Kuvendit duhet të vendosin mbi interesat partiake dhe kalkulimet politike interesin e Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj.
Kosova ka nevojë për institucione të forta, funksionale dhe demokratike. Çdo vonesë e mëtejshme dëmton besimin e qytetarëve dhe dobëson pozitën e vendit në një kohë kur Kosova ka nevojë për stabilitet, unitet dhe përfaqësim institucional të fuqishëm.
Vatra kërkon një Kosovë të fortë, demokratike, të qëndrueshme dhe të orientuar drejt së ardhmes euroatlantike.
Prandaj, u bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës: votoni Presidentin e Republikës dhe vendosni interesin e Kosovës mbi çdo interes tjetër politik.
Kosova nuk ka kohë për të humbur.
Kosova ka nevojë për institucione të forta.
Kosova ka nevojë për unitet dhe përgjegjshmëri politike.
Vëllazërisht
Kryetari i Vatrës
Dr. Elmi Berisha


























